Site icon Telegrafi

Soros: Bashkimi Evropian ndodhet në krizë financiare

Fuqizimi i valutës amerikane dhe dalja e kapitalit nga tregjet në zhvillim, mund të sjellë një tjetër krizë të madhe financiare, paralajmëroi miliarderi Xhorxh Soros. Ai shtoi se Bashkimi Evropian po përballet me një krizë të ekzistencës.

Sipas tij, përfundimi i marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe shkatërrimi i aleancës transatlantike mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pritet të kenë efekt negativ ndaj ekonomisë evropiane dhe të shkaktojnë trazira të tjera, përfshirë zhvlerësimin e valutave të tregjeve në zhvillim, shkruan Scan.

“Mund të përballemi me një tjetër krizë të madhe financiare”, tha Soros.

Paralajmërimi i ashpër nga manaxhuesi i portofolit vjen ndërkohë që interesat e borxhit italian kanë prekur nivele të larat shumëvjeçare dhe ekonomi të mëdha në zhvillim si Turqia dhe Argjentina po hasin vështirësi me valutat e tyre.

Soros tha se çdo gjë negative që pritej në Bashkimin Evropian ka ndodhur, duke përmendur krizën e refugjatëve, masat shtrënguese që sollën ngritjen e partive populliste si dhe shpërbërja territoriale e përfaqësuar nga BREXIT.

“Mund të thuhet se Evropa ndodhet në një krizë ekzistenciale”, tha Soros.

Ai propozoi transformime për Bashkimin Evropian, si braktisjen e një klauzole që detyron vendet anëtare për t’u anëtarësuar në valutën e përbashkët. /Telegrafi/

Exit mobile version