Site icon Telegrafi

Sondazhi i Pyper: Kosovarët i shohin automjetet si shkaktar kryesor të ndotjes së ajrit

Kosova është duke u përballur me një shkallë të lartë të ajrit të ndotur.

Kjo shkallë e lartë e ajrit të ndotur siç shihet nga sondazhi i realizuar nga Pyper ka bërë që qytetarët të jenë mjaft të shqetësuar.

Në një shkallë prej 1 në 5, mesatarja e shkallës së shqetësimit të qytetarëve ka dalur të jetë 4.10.

Pjesëmarrësit në këtë sondazh të Pyper shkaktarë kryesorë të ndotjes së ajrit i konsiderojnë automjetet (69.8%), djegien e qymyrit (66.86%), termocentralet në Obiliq (64.59%), djegien e gomave (52.45%) dhe plastikës (49.16%), ngrohtoret e qytetit (37.35%) etj.

Indikatorë pothuajse të ngjashëm të ndotjes së ajrit janë raportuar edhe në raportin e publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit në vitin 2018 ku theksohet se burimet kryesore të ndotjes së ajrit janë: transporti, energjia, industria etj.

Po ashtu, siç është konfirmuar nga studime të shumta, kjo ndotje e ajrit shkakton pasoja të mëdha shëndetësore.

Vlen të ceket se prej të gjithë pjesëmarrësve që kanë marrë pjesë në sondazhin e Pyper, 12.92% e tyre vuajnë nga probleme shëndetësore të cilat përkeqësohen edhe më shumë si pasojë e ajrit të ndotur.

Gjithashtu, një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregon se nga 1,000 vdekje totale në Kosovë, 6 janë si pasojë e ndotjes së ajrit.

Përveç kësaj, njëkohësisht e rëndësishme të theksohet është se përkundër vetëdijesimit të lartë të qytetarëve lidhur me ndikimin e ajrit të ndotur në shëndet, pak prej tyre i kushtojnë rëndësi mbrojtjes së shëndetit të tyre.

Sipas sondazhit të Pyper, një pjesë dërrmuese e pjesëmarrësve (93.33%) janë të vetëdijshëm se ndotja e ajrit ka ndikimin negativ në shëndetin e tyre.

Mirëpo përkundër kësaj, vetëm 10.24% prej tyre marrin masa për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur. Ky grup i njerëzve këtë e bën duke shkuar shpesh në fshat apo vise malore (40.5%), duke mbyllur dyert apo dritaret për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur (35.91%), duke dalur më rrallë jashtë shtëpisë (33.82%), duke përdorur në shtëpi pajisje për pastrim të ajrit (25.47%), duke përdorur maskë (17.12%) etj.

Përkundër përpjekjeve të qytetarëve për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur, është përgjegjësi e qeverisë së Kosovës që të krijojë kushte për një mjedis më të shëndetshëm.

Sidoqoftë, përderisa ende diskutohet rreth hapave që duhet ndërmarrë për ta luftuar ndotjen e ajrit, pjesëmarrësit e sondazhit të Pyper e kanë më se të qartë se çka duhet ndërmarrë.

Sipas tyre, hapat që duhet ndërmarrë janë: prodhimi i energjisë përmes alternativave tjera (56.49%), shtimi i hapësirave gjelbëruese (54.47%), ndalimi i ngrohjes me qymyr (49.75%), zvogëlimi i prodhimit të energjisë me qymyr (46.16%), moslejimi i qarkullimit të automjeteve të vjetra (44.94%), kufizimi i qarkullimi të automjeteve në qytete disa orë në ditë (30,86%), kufizimi i qarkullimi të automjeteve në qytete disa herë në javë (27.82%), ndalimi i ngrohjes me pelet (14.33%), ndalimi i ngrohjes me dru (12.23%) etj.

Çështja e ndotjes së ajrit është e nevojshme të trajtohet pasi që jo vetëm që ndikon negativisht në shëndetin e qytetarëve por edhe shërben si barrikadë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ndryshe, Pyper është kompani që ofron një gamë të gjerë shërbimesh si rezultat i hulumtimeve të ndryshme që i kryen nëpërmjet aplikacionit mobil Pyper. /Telegrafi/

Exit mobile version