Site icon Telegrafi

Sondazhi i KDI-së: 54% e qytetarëve i vlerësojnë të drejta vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Ligjet që synojnë Reforma në Drejtësi

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot konferencë për media, në të cilën janë prezantuar rezultatet e hulumtimit të opinionit publik, me theks këndvështrimet e qytetarëve të Kosovës mbi ecurinë e reformës në sektorin e drejtësisë.

Gjatë shpalosjes së të dhënave, Violeta Haxholli nga KDI, tha se përmes këtij sondazhi është synuar të kuptohen disa çështje, duke filluar me atë se si e shohin qytetarët qasjen e Qeverisë dhe subjekteve opozitare ndaj procesit të reformës në drejtësi, si i kanë parë vendimet e Gjykatës Kushtetuese rreth ligjeve të cilat tentojnë të reformojnë sistemin e drejtësisë dhe çfarë pritjesh kanë nga ky proces.

Në pyetjen drejtuar qytetarëve se si e vlerësojnë qasjen e Qeverisë ndaj Reformës në Drejtësi, 49% janë të mendimit se Qeveria me anë të reformës po synon fuqizimin e sundimit të ligjit, kundrejt 22% të qytetarëve që mendojnë se Qeveria me anë të reformës po synon ndërhyrjen në sektorin e drejtësisë.

Ndërsa, 18% e tyre mendojnë se Qeveria po shpërfillë akterët e tjerë gjatë procesit të hartimit të ligjeve.

Kur kanë pyetur se cilat mund të jenë arsyet e subjektet opozitare për të dërguar ligjet e Reformës në Gjykatën Kushtetuese, 31% e tyre kanë thënë se opozita i ka dërguar ligjet në gjykatë për shkak të cilësisë së dobët të tyre, ndërsa 31% e tyre janë shprehur se kjo po bëhet për të shmangur mundësitë e ndërhyrjeve të Qeverisë në organet e drejtësisë.

Në anën tjetër 25% e qytetarëve mendojnë se Opozita i ka dërguar ligjet në Gjykatë për shkak se ndjehet e kërcënuar nga Reforma në drejtësi, kundrejt 17% të tyre që mendojnë se me anë të këtij veprimi Opozita po pengon Reformën.

Në pyetjen se si i shohin qytetarët vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjet e Reformës në Drejtësi, 54% e qytetarëve janë shprehur se aktgjykimet e Gjykatës janë të drejta, kundrejt 24% të tyre që i konsiderojnë vendimet si të padrejta. Ndërsa nuk kanë ofruar përgjigje 21% prej tyre.

Në fund, qytetarët janë pyetur edhe rreth pritjeve të tyre nga procesi i Reformës në Drejtësi, për çka 41% e tyre janë përgjigjur se presin që Reforma të fuqizojë sundimin e ligjit. Ndërsa, 30% e tyre se Reforma do të përmirësojë punën e Gjykatave dhe Prokurorive. Në anën tjetër, 28% e qytetarëve të anketuar nuk presin ndryshime nga Reforma në drejtësi.

Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç. Periudha e anketimit përfshin datën nga 4 deri me 15 mars 2024.

Hulumtimin e plotë të opinionit publik mund ta gjeni këtu:

Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit “Zgjerimi i hapësirës qytetare për reformat e ardhshme në gjyqësorin e Kosovës”, i përkrahur nga Ambasada Holandeze në Kosovë./Telegrafi/

Exit mobile version