Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka pritur përfaqësuesit e KDI-së: Jeta Krasniqi, Violeta Haxholli dhe Artan Murati, të cilët ia kanë prezantuar hulumtimin e bërë në temën “Transparenca e dialogut Kosovë-Serbi: Këndvështrimi i qytetarëve”.
Sipas këtij hulumtimi, 43 për qind e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë deklaruar se nuk janë në dijeni për asnjë nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi në Bruksel.
Në të njëjtin hulumtim, 33 për qind e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se kanë njohuri për Marrëveshjen për parimet themelore për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, 21 për qind për Marrëveshjen për rivitalizimin e urës dhe 13.8 për qind, për Marrëveshjen e parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërsa, nga analizimi i shkallës së informacionit që qytetarët kanë për këto marrëveshje në bazë të përkatësisë etnike, ka dalë se komuniteti serb është më i informuar.
Po në këtë sondazh të KDI-së, është vënë re se 76 për qind e qytetarëve janë të pakënaqur me mbikëqyrjen e Kuvendit të Kosovës ndaj Qeverisë për procesin e dialogut, 75 për qind e tyre janë shprehur të pakënaqur me përfshirjen në dialog përmes mekanizmave praktik siç janë debatet apo konsultimet publike.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, e ka vlerësuar punën e KDI-së rreth kij sondazhi, duke shtuar se sa angazhimi i tij në biseda në Bruksel, ka qenë vetëm lidhur me rivitalizmin e urës dhe nënshkrimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufijve administrativ midis dy komunave.
“Unë mund të ju them se kam qenë mjaft transparent sa i përket dy çështjeve të biseduara në Bruksel në të cilat unë kam qenë i përfshirë. Për këto çështje kamë folur haptas dhe e kam njoftuar opinion e gjerë, si para se të shkoj në biseda, ashtu edhe pas përfundimit të tyre. Mendoj se transparenca rreth dialogut duhet të jetë maksimale”, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri.