Site icon Telegrafi

Sondazhi i fundit mbi zgjedhjet përplas pozitën dhe opozitën

Një sondazh i fundit i realizuar mbi zgjedhjet parlamentare i realizuar nga UBO Consulting ka përplasur sërish pozitën dhe opozitën.

Zyrtarët e LVV-së në postimet e bëra në Facebook, kanë deklaruar se sondazhi ka nxjerrur mbi 49% partinë Vetëvendosje, transmeton Telegrafi.

Ilir Kërçeli, këshilltar i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, thotë se sondazhi që nuk ka përfshirë mërgatën, nxjerr si parti të parë LVV-në.

“Sondazhi i fundit nga UBO Consulting: Lëvizja VETËVENDOSJE! 49.5 % PDK + LDK + AAK 40 %”, thotë ai.

 

Për sondazhin ka shkruar edhe Arlind Manxhuka, zëdhënës për media i LVV-së. Sipas tij, ky sondazh do t’i nxjerrë punë tashmë kryetarit të LDK-së.

“Qenka publiku sondazhi i fundit i bërë nga UBO Consulting. Prapë punë me bë video Abdixhiku”, ka deklaruar ai.

Një reagim mbi sondazhin e ka bërë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Deputetja Bajrami ka shkruar se realiteti do ta dëshmojë të kundërtën.

“Këtë herë paskan treguar gjenerozitet, na paskan ulur vetëm në 16%. Me sondazhe mund të na ulin edhe më shumë, do ta bëjnë javëve në vijim, por realiteti ndryshon nga sondazhet e tyre.
Mbajeni në mend, sa herë që ka një krizë, qeverisë i vjen një sondazh i ri. Herën e kaluar në ditën e faturave dyfish të energjisë elektrike, këtë herë në periudhën e shpërfaqjes së korrupsionit përmes kontratave sekrete e pazareve në katër sy”, ka theksuar ajo.

Bajrami ka pohuar mes tjerash se “Duan të paraqesin një realitet tjetër – fiktiv. Të na thonë se ne jemi vet. Se shumica është me ata – të kënaqur si dikur”.

“Propaganda është mjet i tyre dhe kjo është veçse një mjet. Kur flasim për sondazhe kujtoni vetëm pak zgjedhjet lokale. Gjithë ekzaltimin e pushtetit atëherë, gjithë ‘kredibilitetin’ e matësve – një natë para zgjedhjeve. Fundin e dini të gjithë”, potencon ajo.

Ndryshe, zgjedhje të parakohshme parlamentare janë duke kërkuar pozita dhe opozita, ndërkohë qeveria Kurti tashmë ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes./Telegrafi/

Exit mobile version