Kosova ka pësuar humbje prej 1-2 nga Gjeorgjia në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror, ‘Katar 2022’, që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Dardanët u gjetën në disavantazhi në fraksionin e parë të lojës pas një gabimi të Aro Muriq, i cili nuk e kapi si duhet topin, duke lejuar futbollistin Tornike Okriashvili t’i kalonte mysafirët në epërsi.
Megjithatë, nikoqirët nuk u dorëzuan dhe pas disa tentative u akordua penallti, të cilën e konvertoi në gol Vedat Muriqi.
Kosova e dominoi gjysmën e dytë të takimit me përpjekje të vazhdueshme për ta shënuar golin e fitores. Mirëpo, pas moskonkretizimit të rasteve, u ndëshkua me golin e Zuriko Davitashvili që ia dha fitoren Gjeorgjisë.
Është e rëndomtë që pas çdo takimi të futbollit të vlerësohen lojtarët për performancat e tyre në ndeshje të këtij niveli, derisa nuk mungojnë edhe debatet në rrjetet sociale.
Telegrafi ka hapur një mundësi që në vijim, ju të vlerësoni lojtarët e Kosovës me paraqitjen më të mirë në ndeshjen kundër Gjeorgjisë.
Lirim Kastrati, Zymer Bytyqi, Florian Loshaj, Florent Muslija dhe Astrit Selmani, ishin lojtarët që u inkuadruan në pjesën e dytë. /Telegrafi/