Deri në fund të së dielës, somalezët duhet të dinë se kush është presidenti i tyre i ardhshëm, por ky votim i vonuar prej kohësh përfshin vetëm 329 deputetët e vendit dhe zhvillohet në një zonë shumë të fortifikuar.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, rrethanat e pazakonta nxjerrin në pah çështjet e sigurisë së Somalisë, si dhe mungesën e llogaridhënies demokratike.
Kryeqyteti Mogadishu është në mbyllje totale deri të hënën në mëngjes.
Dhe deputetët kanë nisur të votojnë në atë që pritet të jetë një garë e ashpër.
Fituesi midis 35 kandidatëve do të duhet të përballet edhe me ndikimin e thatësirës së vazhdueshme.
Por detyra e madhe është të heq kontrollin e pjesës më të madhe të Somalisë nga al-Shabab.
Grupi militant islamik i lidhur me Al-Kaedën vazhdon të dominojë pjesë të mëdha të vendit dhe kryen sulme të shpeshta në Mogadishu dhe gjetkë.
Ndryshe, Somalia nuk ka pasur zgjedhje demokratike një person-një votë që nga viti 1969.
Ky votim u pasua nga një grusht shteti, diktaturë dhe konflikt që përfshin milicitë e klanit dhe ekstremistët islamikë.
Paqëndrueshmëria është një nga arsyet pse Somalia nuk ka mundur të mbajë zgjedhje të drejtpërdrejta.
Madje, kjo është vetëm hera e tretë që zgjedhjet indirekte për president janë në gjendje të zhvillohen në vetë Somali.
Ato të mëparshme u mbajtën në Kenia dhe Xhibutin fqinj.
Kush kandidon për president?
Katër kandidatë u larguan në minutën e fundit, duke lënë 35 ende në garë.
Ata përfshijnë presidentin aktual, Mohamed Abdullahi “Farmajo”, dy ish-presidentët, Sharif Sheikh Ahmed dhe Hassan Sheikh Mohamud, dhe një ish-kryeministër, Hassan Ali Kheyre.
Këta të katër, së bashku me Presidentin e rajonit Puntland të Somalisë, Sa’id Abdullahi Deni, konsiderohen të jenë kryesuesit.
Manifestet e tyre u fokusuan në stabilitetin politik, përmirësimin e sigurisë dhe reformat ekonomike.
Ndërsa Fawzia Yusuf Adam, një ish-ministre e jashtme, është e vetmja grua në mesin e atyre që duan postin e lartë. /Telegrafi/