Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer ka konfirmuar interesimin për sulmuesin e talentuar të RB Salzburgut, Erling Haaland.
Haaland, 19 vjeç, ka qenë në formë të lartë shënuese këtë sezon, duke shënuar 24 gola në 20 ndeshje në të gjitha garat përfshirë tetë në Ligën e Kampionëve.
Kjo ka bërë që ai të jetë i lidhur me disa klube në të gjithë Evropën, por Unitedi gjithmonë thuhet se ka pasur një avantazh.
E gjithë kjo ka ardhur për shkak të njohjes së Solskjaer për adoleshentin nga koha e tyre e kaluar së bashku te klubi Molde dhe trajneri norvegjez ka konfirmuar interesimin për sulmuesin.
“Ai është një lojtar që më pëlqen”, ka thënë fillimisht Solskjaer për Viasport.
“Ne po kërkojmë lojtarë të mirë gjatë gjithë kohës”.
“Erling ka pasur një zhvillim të mirë, kështu që ai duhet të zhvillohet më tej kudo që të vendosë të transferohet”.
“Nuk kam nevojë të flas aq shumë për të, por ne si ekip gjithmonë kërkojmë lojtarë që mund të plotësojnë të tjerët që kemi, dhe pastaj shohim se me çfarë përfundojmë”, përfundoi trajneri i Unitedit. /Telegrafi/