Telegrafi

Sokoli: Një gabim që jemi munduar ta evitojmë na kushtoi

Trajneri i Llapit, Bylbyl Sokoli, u shpreh i zhgënjyer me epilogun e takimit derbi ndaj Feronikelit.

Dy skuadrat që po pretendojnë kreun tabelar në Superligën e Kosovës u përballën në një duel mjaft të tensionuar.

Feronikeli mbeti me një lojtar më pak pas fundit të pjesës së parë.

Por, pamundësia që të konrektizonte, bëri që Llapi të pranonte një gol që Sokoli e cilëson si një gabim të përsëritur nga lojtarët e tij.

“Mendoj se Llapi dha maksimumin. Ky është maksimumi i ekipit tonë. Taktikisht ishim më të mirë, lojtarët krijuan shumë raste edhe kur ishim të njëjtë në numër”.

“Goli erdhi nga një gabim që jemi munduar të mos e përsërisim. Të gjitha golat që i pranoi Llapi ishin të tillë, nga gabime të tilla”, u shpreh Sokoli para mediave pas ndeshjes.

Llapi ka katër pikë më pak se Feronikeli, kurse të shtunën i shkon Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

/Telegrafi/