Sociologu Gëzim Tushi tregon disa nga arsyet e numrit të ulët të lindjeve dhe tendencës së plakjes së popullsisë shqiptare.
Për Tushin arsyet kryesore të kësaj situatë janë rënia e numrit të martesave, shtimi i mono-familjeve, rritja e numrit të divorceve dhe arsye të tjera ekonomike
“Ju përmendet emigracionin njërën prej tyre emigracionin. Sikurse dihet ata që emigrojnë janë pjesa e popullsisë vitale. Është mosha 25 deri në 45-vjeç. Ka edhe arsye të tjera sikurse është rënia e numrit të martesave, shtimi i mono-familjeve, rritja e numrit të divorceve, arsye të tjera ekonomike”, u shpreh Tushi.
Sipas tij, një faktor shumë i rëndësishëm është edhe modernizimi i jetës sociale.
“Një faktor shumë i rëndësishëm është modernizimi i jetës sociale. Sa më shumë rritet niveli kulturor dhe arsimor i popullsisë, bie numri i lindjeve”, tha sociologu.
Sociologu theksoi se për fat të keq popullsia shqiptare ka filluar të bëhet një popullsi me flokë të thinjur.
“Është një tendencë e dukshme e plakjes së popullsisë që do të thotë një prishje e raportit demografik midis popullsive në moshë të re dhe atyre në moshë të vjetër. Shoqëria shqiptare ka filluar të bëhet një popullsi me flokë të thinjura, të bardha”, u shpreh ai në Euronews Albania.
“Jemi një nga tre vendet që po plakemi më shpejtësi në Evropë”, përfundoi ai.
Gjatë vitit 2020, në vend u regjistruan rreth 27 mijë lindje.
Ky është niveli më i ulët i shtesës natyrore të popullsisë, jo vetëm në këto 30 vite, por së paku që nga viti 1948.
Sakaq, vitin e kaluar humbën jetën 28,026 persona, ose rreth 6 mijë më shumë se viti i mëparshëm, duke shënuar një nivel rekord historik të lartë. /Telegrafi/