Telegrafi

Snopçe për fjalimin e Pendarovskit: E tha atë që ne e kemi thënë dhjetëra herë

Deputeti Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët vlerësoi sot se presidentin Stevo Pendarovski e kanë aleat në angazhimin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe për reformimin e sistemit gjyqësor.

“Domethënë, në mënyrë eksplicite presidenti e tha atë që ne e kemi thënë jo njëherë por dhjetëra herë dhe për çka angazhohej gjithashtu ministri jonë i të Drejtësisë. Ky është konstatimi im”, tha Snopçe.

Ai shfaqi kënaqësi që Pendarovski në fjalimin para deputetëve i ka bërë thirrje përbërjes së ardhshme parlamentare që të angazhohet për largimin e të gjithë prokurorëve dhe gjykatësve për të cilët ka dyshime se e kryejnë punën në mënyrë të papërgjegjshme, që korespondon edhe me angazhimin e tyre.

Snopçe porositi se kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike, Pendarovski në fjalimin e tij duhej ta thoshte qëndrimin e tij “për heqjen e 20 për qindëshit me të cilin definohet gjuha shqipe”, ta përmend rastin në shkollën në Çashkë, si dhe rastin me problemin ekologjik dhe gërmimet në Konjarë.