Deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, në konferencën e sotme për media ka theksuar se është i bindur se janë siguruar votat e nevojshme për rikonstruimin e Qeverisë.
“Kemi marrëveshje mes partnerëve të rinj të koalicionit. Kemi besim se këto shifra janë të siguruara. Nuk besoj se dikush do të shkonte në aventura të tilla pa i siguruar ato numra. Megjithatë, ajo që ne si Aleancë për Shqiptarët mund të garantojmë është se tetë votat tona do të jenë “për”. Megjithatë, nuk kam asnjë dyshim që numrat janë të siguruar. Këtu nuk ka dyshim”, tha Snopce.
Duke iu përgjigjur në pyetjen për vlerat që ofron Aleanca për Shqiptarët si partner i ri i qeverisë, Snopçe tha se një vlerë është të ofrohet mbështetje për të funksionuar Qeveria dhe me kapacitetet që kanë të përpiqen të instalojnë “vlerat e vërteta juridike”.
“Edhe kuadri që propozuam si ministra janë jashtëzakonisht profesionistë, të dëshmuar në profesionet e tyre. Në sferat që ata do të udhëheqin do të kemi mundësi të shohim ministri cilësore, vendime cilësore dhe ligje cilësore. Unë jam i bindur për këtë, duke ditur personelin që kemi propozuar. Ne do të vazhdojmë të jemi kritikë në ato departamente, në ato pjesë që do të vazhdojnë të jenë jofunksionale. Ne do të jemi kritikë edhe ndaj ministrave tanë nëse nuk e realizojnë atë që premtojnë”, theksoi ai.