Telegrafi

Snajper, pushkë e municion, sekuestrohet arsenal armësh në Shkodër

Një operacion i policisë së Shkodrës ka çuar në sekuestrimin e një arsenali armësh.

Gjatë operacionit u sekuestruan një snajper, një pushkë, një pistoletë, një armë gjahu, dy armë sportive, një palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e armëve të gjetura në banesë.

Operacioni u zhvillua në fshatin Mali i Jushit, Bushat, Shkodër, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës informative, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës.

Policia bëri me dije se u shpall në kërkim 43-vjeçari A.I., poseduesi i arsenalit të armëve, i cili në momentin e kontrollit nuk u gjet në banesë, ndërsa procedohet në gjendje të lirë nëna e tij. /Telegrafi/