Ministri për bujqësi, pylltari dhe ujëra, Ljupço Nikollovski realizoi takim pune me jomologun e tij slloven, Dejan Zhidan, në suaza të Forumit të 12-të për agro-tregti dhe bashkëpunim ekonomik në Brdo pranë Kranjit në Slloveni, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në takim, siç informojnë nga Ministria për bujqësi, pylltari dhe ujëra është arritur marrëveshje për ndihmë nga Republika e Sllovenisë për Maqedoninë në procesin e eurointegrimeve.
Ministri Zhidan theksoi se Republika e Sllovenisë është e gatshme të ndihmojë në pjesën e përmirësimit të funksionimit të Agjencisë për ndihmë financiare në bujqësi dhe zhvillim rural të Maqedonisë, si një institucion i rëndësishëm në ndarjen e fondeve kombëtare dhe atyre evropiane. Ai tha se Sllovenia do të ndihmojë në forcimin e shërbimeve këshilluese për bujqit në Maqedoni, si edhe në Agjencinë për stimulim të zhvillimit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Në takimin e ministrave u diskutua edhe roli i tregtisë ndërkombëtare dhe zinxhirit të furnizimit me ushqim në nivel lokal dhe global, për përparimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe hapat e ardhshëm për përmirësimin e tregtisë ndërkombëtare./Telegrafi/