Gjashtë skulpturat e vendosura në objektin City-Gallery në qendër të Shkupit kanë shkaktuar probleme. Kjo sepse fasadës së përfunduar pjesërisht i është dashur t’i hiqen 5 centimetra. Punëtorët e kompanisë ndërtimore “Urban Invest” që po kryejnë punimet thonë se ata i janë përmbajtur planit të projektit, njofton tv21.
Ky objekt është në fazën e dytë të punimeve. Deri tani janë vendosur 6 skulptura, kurse deri në përfundim të projektit do të vendosen edhe 7 të tjera. Këto skulptura nuk e kryejnë funksionin e shtyllës për mbajtjen e objektit.
Sipas firmës për ndërtim “Urban Invest”, ky objekt është i ndarë në tre pjesë. Njëra përmban 6 skulptura, e dyta 5 dhe pjesa e tretë vetëm dy. Këto skulptura përveç se zbukurimit, ato kanë funksionin e mbajtjes së objektit.
Nga qyteti i Shkupit deklaruan se rikonstruimi i objektit dhe fasadimi është në përputhje me vendimin e Këshillit të Qytetit, por kompania përgjegjëse për ndërtim duhet të respektojë vendimin arkitektonik si dhe elementet e planit. I tërë ky projekt do të kushtojë rreth 1 milionë e gjysmë euro. /Telegrafi/