Antonio Sanabria është duke kaluar nëpër një formë fantastike në këtë fillim të edicionit në La Liga
Sulmuesi paraguaian ka shkëlqyer me fanellën e Betisit duke i ndihmuar skuadrës së tij të ngjitët në pjesën e epërme të tabelës.
Në 11 ndeshjet e para, Sanabria ka shënuar shtatë gola ku njëri nga ta ishte i fitores së madhe ndaj Real Madrid.
Forma e mirë që po kalon ai ka bërë që skuadrat e mëdha të interesohen për ta transferuar paraguaianin.
Tottenham Hotspurs, Arsenal, Everton, Atletico Madrid, Monaco, PSG, Borussia Dortmund dhe Wolfsburg janë ekipet që po e duan lojtarin.
Sipas medieve spanjolle, Betis e vlerëson lojtarin rreth 45 milionë euro dhe skuadrat e lartpërmendura janë të gatshme të paguajnë një shumë të tillë.
Por duket se më së shumti nga forma e lojtarit pritet të përfitojë Roma e cila e ka shitur te Betis.
Një vit më parë Roma e shiti tek Betis talentin e madh për një shumë rreth tetë milionë euro.
Por në marrëveshjen mes dy klubeve ekziston një klauzolë që ‘Giallorossët’ mund ta rikthejnë atë në kryeqytetin italian për vetëm 11 milionë euro.
Tani drejtori sportiv i Romës, Mongi ka deklaruar se dëshiron ta rikthejë Sanabrian në Romë pas formës së mirë të tij. /Telegrafi/