Agjenti i mbrojtësit të Liverpoolit Martin Skrtel ka thënë se lojtari i tij ka gjasa të mëdha që do të largohet nga klubi këtë verë.
Skrtel nisi sezonin si zgjedhje e parë në mbrojtje, por lëndimet ia humbën vendin dhe nën urdhrat e trajnerit të ri Jurgen Klopp ai ka mbetur pas Dejan Lovrenit, Mamadou Sakhos dhe Kolo Toures.
31-vjeçari ka pasur vetëm katër ndeshje si startues në Premier Ligë që nga Krishtlindjet dhe kjo ka detyruar atë të mendojë për të ndërruar ambient.
Skrtel raportohej se ka arritur marrëveshje për të kaluar në Turqi, por agjenti i tij thotë se kjo nuk është e vërtetë. Gjithsesi agjenti ka konfirmuar se lojtari ka gjasa të mëdha që të largohet sivjet.
“Është tërësisht e pavërtetë. Ai nuk ka nënshkruar asnjë kontratë (me Beshiktasin). Kam folur me Martinin për një klub tjetër. Beshiktashi është ndër të interesuarat, por nuk kemi arritur në një pikë në të cilën mund të konfirmoj se Martin po shkon atje, ose diku tjetër. Por mund të them se është 90 për qind e sigurt që ai do të largohet nga Liverpooli, por kjo është larg finalizimit”, ka thënë agjenti i lojtarit Karol Csonto.
Skrtel ka pasur 319 paraqitje për Liverpoolin në të gjitha garat që nga viti 2008.