Prodhuesit çek të veturave Skoda, do t’i duhej që të shkurtonte 3,000 vende pune dhe t’i largojë nga prodhimi disa modele nëse skema e Bashkimit Evropian për emetimin e gazrave “Euro 7”, do të zbatohet në formën aktuale, paralajmëroi një anëtar i bordit të Skoda në një debat televiziv të dielën.
Ligji i propozuar Euro 7, të cilin vendet dhe deputetët e BE-së do të fillojnë që ta negociojnë këtë vit, do të ngushtojë kufijtë e emetimeve të ndotësve që e dëmtojnë shëndetin, duke përfshirë edhe oksidin e azotit.
Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se përfitimet e shëndetit nga kjo masë do të tejkalojnë kostot, por disa prodhues të veturave kanë paralajmëruar se në fakt ligji i propozuar do të imponojë kosto të paarritshme dhe të shtrenjta të zhvillimit.
Shefi i Daimler Trucks, Martin Daum, më 10 mars tha se kjo do t’i kushtonte industrisë “miliarda” euro, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.
“Nëse ligji Euro 7 do të aprovohet në këtë formë, për Skoda Auto do të thotë mbyllje e një fabrike, kjo për shkak se do të ndalonte prodhimin e modeleve më të vogla si Fabia, Scala dhe Kamiq, e që si shkak i saj do të shkurtoheshin më së paku 3,000 vende pune”, deklaroi në një debat televiziv Martin Jahn, anëtar i Skoda-s, firmë kjo e cila është pjesë e Volkswagen Group.
Në përgjithësi, në Republikën Çeke do të rrezikoheshin mbi 10,000 vende pune, kjo pasi që sipas Jahn do të përfshinte edhe furnizuesit e Skoda-s.
Tre modelet më të vogla përfaqësonin gati një të tretën e dërgesave të Skoda për klientët në vitin 2022.
Ministrat e transportit nga Republika Çeke, Gjermania, Italia, Polonia, Portugalia, Rumania, Hungaria dhe Sllovakia u takuan të hënën për të diskutuar përpjekjet e tyre për të ndryshuar propozimin e ligjit Euro 7. /Telegrafi/