Site icon Telegrafi

Skepticizëm nëse Kurti do t’i sigurojë votat për Kodin Civil

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë ndryshuar qëndrim për Kodin Civil, as pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi deputetëve gjermanë miratimin e tij, në prag sfidës kryesore për anëtarësim Këshillin e Evropës. Duke marrë parasysh kundërshtimet jo të pakta brenda partisë së tij, misioni i Kurtit për sigurimin e votave të nevojshme vlerësohet vështirë i arritshëm.

Është njëri ndër projektligjet që është përcjellur me më së shumti zhurmë në Kuvendin e Kosovës.

Kundërshtimet më të zëshme ndaj Projekt-Kodit Civil kishin të bënin me nenin 1138, i cili parasheh hartimin e një ligji që do të lejonte martesat e të njëjtës gjini.

Për pasojë, ky projektligj voluminoz dështoi të miratohej në vitin 2022.

Por rolin e unifikuesit për të mbledhur votat ka vendosur ta marrë kryeministri Albin Kurti.

Gjatë vizitës në Gjermani për të lobuar rreth anëtarësimin në Këshillin e Evropës, shefi i Qeverisë u premtoi deputetëve gjermanë se do të angazhohej personalisht për miratimin e projekt-kodit.

Por deputetë kundërshtues nga partia e tij thonë se qëndrojnë të palëkundur në qëndrimet e tyre.

Lexo po ashtu Votat për Kodin Civil: Haxhiu thotë se iu duhet edhe ca kohë – PDK pa vendim, LDK e konsideron punë të qeverisë

“Unë jam kundër kodit civil si herën e kaluar po për shkak të dy neneve prej 1600 neneve sa janë po privohen qytetarët e Kosovës, nene që janë të rëndësishme për mbarëvajtjen e jetesës në shtetin tone. Sa i përket mbledhjes së votave nuk mund të flas për kolegët deputetë, mund të flas vetëm për veten. Qëndrimi im mbetet ai që ka qenë përpara”, ka thënë për RTV Dukagjinin Gramoz Agusholli, deputet i LVV-së.

Haptazi kundër ishin shprehur edhe deputetë të tjerë si Eman Rrahmani, Visar Korenica e Labinotë Demi, por që të shtunën qenë të pa qasshëm në telefon.

E, skeptikë se kjo shumicë votash do sigurohet shprehen edhe analistë politikë.

“Opozita nuk ka vullnet që ta shtyejë para këtë projektligj dhe ta votoj mirëpo barra më e madhe i ngarkohet pozitës në këtë situatë. Meqenëse edhe vitin e kaluar ishin zotuar se do e sillnin në votim, mirëpo Kurti dhe pozita duhet të na japin një shpjegim se pse po dështon për të kaluar ky ligj në Kuvend kur e dinë që një sërë votash hyn në korpusin e të drejtave të njeriut dhe me gjasë, një pjesë e deputetëve do ta kushtëzojnë por gjithsesi, kjo mbetet përgjegjësi kryekëput e Qeverisë”, ka thënë Dibran Hoxha, analist politik.

Ngritja e kësaj çështjeje nga Kurti para zyrtarëve të shtetit të Gjermanisë, në Kosovë u pa si tentim i tij për të amortizuar presionin ndërkombëtar për Asociacionin, i cili po kërkohet si kusht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Exit mobile version