Telegrafi

Skënderbeu, shqiptari i parë që krijoi një rrjet diplomatik

Skënderbeu për Evropën është një figurë shumë më e lartësuar se vetë mitet që arbëreshët kanë krijuar për të. Debateve për Skënderbeun, hipotezave të historianëve të huaj e shqiptarë që grinden me njëri-tjetrin, nëse është Skënderbeu një mit apo hero i vërtetë, studiuesi arbëresh Matteo Mandala u jep përgjigjen më të saktë.

Duke pranuar pa hezitime nacionaliste faktin shkencor se mitet kanë rrjedhur si shpikje e kulturës arbëreshe, si nevojë për të rindërtuar e rilindur kulturën e tyre në Itali nga fundi i shekullit të XVII-të, nga ana tjetër Mandala e zbulon prej arkivave Skënderbeun si një hero të Evropës. Sipas Mandalasë, Skënderbeu është heroi që bashkoi Perëndimin: pas Papa Piut që e ngriti Skënderbeun në piedestal pesë shekuj më parë, jo më pak se 50 vjet më parë Papa Pali i gjashtë e shpalli Skënderbeun si modelin që duhej ndërtuar Evropa.

“U përpoq ta bënte edhe për Shqipërinë. Në Shqipërinë që ishte e mjeruar në atë kohë, krijoi njëfarë shteti dhe sidomos krijoi një rrjet diplomatik që është një habi për të gjithë neve. Kishte lidhje e kontakte me të gjithë mbretërit e asaj kohe, nga Venecia, në Napoli, në Romë, nga Siena, në Milano. Kudo kishte njerëz që mund të hynin në kontakt më Skënderbeun. Skënderbeu nuk nguroi kurrë që të hynte në kontakt me ta. Disa herë e bëri në mënyrë direkt me letërkëmbime dhe disa herë kontaktet i mbante nëpërmjet rrjetit të diplomatëve që ai kishte krijuar. Kjo është një arritje që Shqipëria pati në të njëjtën kohë kur për shembull Spanja, Franca, Anglia, filluan të kishin identitete kombëtare”, thotë ai.

Ju arbëreshët keni festa kombëtare që lidhen me figurën e Skënderbeut. A mendon siç shprehen disa studiues se duhen të rikthehen dhe të manifestohen edhe në Shqipëri ato lloj festash?

Mandala ka përgatitur një kumtesë dedikuar Vitit të Skënderbeut. Ai përshkruan mërgimin arbëror shqiptar nga Ballkani pas rënies së perandorisë bizantine, që nga shekulli XIII deri në shekullin XVIII.

“Nëpërmjet shumë burimeve arkivore që janë botuar kohët e fundit mund të rindërtojmë një lëvizje që pastaj ndodhi dhe në Itali dhe ku tregohet fakti se këta arbëreshë mund të mbështeteshin në vende të ndryshme në Itali dhe pastaj u vendosën në ato vende që sot i njohim si vendbanime arbëreshe, shqipfolëse. Por, dikur këto vende kanë qenë vende kalimtare. Deri në momentin kur arritën të urbanizohen dhe fituan statusin qytetarë që u jepet e drejta e barabartë me qytetarët e tjerë, atëherë filloi dhe rindërtimi i identiteti kulturor që e kemi në fund të shekullit XVII deri në fund të shekullit XVIII. Pikërisht këtu lind dhe kultura arbëreshe”, thotë ai. /Shqiptarja/