Site icon Telegrafi

Skënderbeu kishte rol kyç në një nga fitoret e Huniadit

Historiani hungarez Laszlo Veszpremy, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike, solli figurën e heroit tonë kombëtar në kontekstin e një roli kyç në një prej fitoreve më të mëdha të Janosh Huniadit, heroit hungarez.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh, ai se “ligjërata e sotme ka të bëjë me zhvillimin e luftërave në Hungari nga fillimi i shek. 14 deri në fillim të shek. të 16”.

“Gjatë këtyre luftërave spikati figura dhe kontributi i heroit hungarez Janosh Huniadit dhe pikërisht kjo është arsyeja e pjesëmarrjes time në këtë konferencë”, tha ai. ”Figura e Janosh Huniadit mund të krahasohet me atë të heroit tuaj kombëtar Skënderbeut për nga përmasat që mbart. Nuk e di nëse këta dy udhëheqës mund të jenë takuar ndonjëherë personalisht, por sipas të dhënave që kemi, ata kanë shkëmbyer korrespondencë dhe kanë hartuar plane të përbashkëta strategjike kundër mësymjes së perandorisë Osmane. Madje, në një prej fitoreve më të mëdha të Janosh Huniadit, Skënderbeu ka luajtur një rol kyç”.

Ai gjithashtu vijoi se “nga pikëpamja hungareze, Skënderbeu është i rëndësishëm për kontributin e tij të padiskutueshëm në ekspeditën e 1440-1443 në territorin e Bullgarisë së sotme, por nga ana tjetër sukseset dhe strategjitë e tij na ndihmojnë për të kuptuar dhe njohur jetën personale dhe sukseset e heroit tonë hungarez dhe anasjelltas karrierën e heroit tuaj legjendar i cili mund të krahasohet me personalitete botërore”.

Në fund ai tha se “mendoj se kjo konference është e rëndësishme sepse në Hungari është e vështirë të sigurosh akses në literaturën që flet për luftëra dhe kohën e Skënderbeut, madje edhe në internet është shumë e vështirë, dhe takime të tilla në nivele akademikësh dhe studiuesish janë një mundësi e mirë për të shkëmbyer ide dhe mendime për këtë periudhë të historisë”, përfundoi historian hungarez Laszlo Veszpremy.

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka çelur sesionin e dytë të saj, që do të vazhdojë deri më 26 tetor për t’i lënë më pas vendin sesionit të tretë dhe të fundit.

Exit mobile version