Skender Hyseni, që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, e ka cilësuar atë si një intelektual të guximshëm.
Hyseni ka kujtuar dy momente kur e ka parë Ibrahim Rugovën të mërzitej.
“E kam vërejtur në dy raste kur ka qenë skajshëm i mërzitur. Njëri ka qenë në Monte Karlo në konferencën e Krans Montanës ku ai ka qenë një nga folësit kryesor në atë forum”.
“Pas fjalës që e ka mbajtë, kemi shkuar në dhomë ku jemi marrë vesh që të pushojmë dhe të shihemi për sesionin tjetër. Sa kam arritur në dhomë më ka njoftuar shoqëruesi i presidentit Rugova që Xhemail Mustafa është vrarë”, tha Hyseni, në Zona B të Klan Kosovës.
“Kam shkuar dhe i kam trokitur në dhomë. E gjeta duke lexuar. I tregova se çfarë ka ndodhur. Është hera e parë që e kam parë Ibrahim Rugovën me lot dhe të dërmuar shpirtërisht”, .
“Rasti i dytë kur e kam parë të mërzitur është vrasja e Enver Malokut. E ka përjetuar rëndë, por kjo me vrasjen e Xhemail Mustafës ishte më intensive edhe për faktin se ndodhi pas luftës dhe ishte krejtësisht e papritur”.
“Ibrahim Rugova ka pasë një higjienë shpirtërore që vështirë që mund ta ketë dikush. Ka qenë mision i pamundshëm që t’ia ndotësh atë higjienë shpirtërore. Nuk ka mbajtë inate personale, edhe kur i kanë hyrë në hak shumë”, tha ai.