Ish-kapiteni i Guinesë Ekuatoriale, Juvenal Edjogo, ka pretenduar se votat e tij për Topin e Artë janë manipuluar në favor të Messit dhe Ronaldos.
Të hënën fituesi i radhës i këtij çmimi prestigjioz do të bëhet i ditur në ‘Theatre du Chatelet’ në Paris të Francës.
Para kësaj ngjarje, treshja e Real Madridit, Vinicius Junior, Jude Bellingham dhe Kylian Mbappe janë në mesin e kandidatëve për ta fituar.
Sidoqoftë, është spekuluar shumë së fundmi se ylli brazilian Vinicius Junior pritet të konfirmohet si fitues i këtij çmimi.
Vitin e kaluar, Juvenal kishte deklaruar se votat e tij në vitin 2013 u ndryshuan për të mbështetur Messin dhe Ronaldon.
“Çfarë mund të them për këtë çmim është se në vitin 2013, unë votova për tre lojtarët e mi për Topin e Artë dhe i dërgova votat, por në fund kur u bën publike, votat e mia ishin ndryshe”.
“U tha se unë kam votuar për Messin dhe Ronaldon dhe një tjetër nuk më kujtohet, por unë nuk kam votuar për ta”.
“Kjo është çfarë mund të them, unë nuk besoj absolutisht asgjë për këto çmime. Që prej atëherë, unë kam menduar se këto çmime nuk kanë vlerë”, ka thënë Edjogo.
“Unë isha kapiten i kombëtares së Guinesë Ekuatoriale për më shumë se 10 vite dhe i dërgova votat e mia për Drogban, Iniestan dhe Falcaon përmes një linku të cilin duhej ta plotësonim”.
“Unë nuk e di nëse votat e mia kanë arritur tek FIFA sepse një gazetar më mashtroi mua”, përfundoi ai./Telegrafi/