Hetimet për abuzimet me pacientët e Onkologjikut do t’i kryejë Prokuroria e Posaçme. Mësohet se Prokuroi i Tiranës Bledar Valikaj ka shpallur moskompetencë duke e transferuar dosjen në SPAK.
Nga hetimet e theluara sipas tij dyshohet se mjekët e përfshirë kanë kryer korrupsion dhe këtë ata e kanë bërë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të përfshirë janë 6 persona, mjek e administrator të QSUT-së si dhe dy kompani private që akuzohen për shpërdorim detyre.
Këta shtetas, duke qenë të punësuar pranë Spitalit Onkologjik në QSUT, nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në klinika private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre. Paralelisht abuzimeve, mjekët do t’i nënshtrohen edhe hetimit pasuror.
Në dosje evidentohet fakti se Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte bërë një audit në 2022 rreth situatës në këtë spital, ku zbuloi një numër të madh shkeljesh duke hartuar edhe një sërë rekomandimesh por që për rastin nuk ka pasur referim në prokurori.
SPAK tashmë do hetojë skemën, përmes të cilës mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private. Gjithashtu, ata dërgonin pacientët për kurim te spitalet private, ndërsa më herët kishin refuzuar t’iu jepnin shërbim në shtet duke nxjerrë alibi të tilla si pritjet dhe radhët e gjata, kur në realitet nuk rezultonin të tilla./RTSH