Më në fund është zbardhur arsyeja e profileve virale të Damiano Agalliut në Instagram e rrjetet e tjera sociale.
Të gjithëve u ka bërë përshtypje pse Instagrami është pushtuar nga profile me emrin e Damianos, që postojnë foto të tij, momente nga shtëpia dhe për më shumë kërkojnë votat e publikut. 26-vjeçari nga Berati, mund të themi se është më i komentuari mes banorëve të “Big Brother 9”, për shkak të stilit të jetës në Suedi, por edhe largimit dhe rikthimit në lojë. Ndryshe nga konkurrentët e tjerë, ai duket se është përgatitur më mirë se të tjerët për këtë garë, pasi ai edhe pse jeton prej vitesh në Suedi, është miku i afërt i shumë prej banorëve të “Big Brother”. Ai ka punuar si menaxher lokalesh të shtrenjta dhe ka shumë miq, të famshëm, po edhe të zakonshëm. Dhe duket se në këtë rast këta miq po i hyjnë shumë në punë, pasi angazhimi i tyre që Damiano të fitojë mund të konsiderohet një fushatë e vërtetë. Kështu, në këmbim të komenteve apo votave gjatë spektaklit të të shtunave, miqtë e tij vënë në dispozicion një shumë parash, sipas bisedave të publikuara nga faqja “Jeta osh qef”.
“Komento për të në çdo postim, ke 70 euro në javë”, është ky skandali tjetër që ka shpërthyer në portale në lidhje me popullaritetin e ekzagjeruar të Damianos, krahasuar me lojtarët e tjerë. Para dy ditësh, llogaria personale e Damianos u hakerua nga një person, i cili dërgoi mesazhet nga Facebook-u i Damianos në redaksinë e JOQ.al.
Në ato mesazhe shihej se Damiano kishte pasur telefon dhe kontaktonte me fituesin e “BB8”, Vesel Kurtishajn, të cilit i kishte lënë porosi që të kontrollonte rrjetet e tij sociale. Mirëpo, në inbox-in e “Jeta osh qef” kanë mbërritur edhe disa mesazhe, ku persona të caktuar kontaktojnë njerëz të thjeshtë nëpër faqe Facebook-u, për të bërë “biznes”. Në redaksinë tonë ka mbërritur një bisedë, ku një personi i ofrohen 70 euro për një javë për të hapur 10 adresa false dhe të komentojë në çdo postim nëpër faqe pro Damianos, nga një profil me emrin Armando. Skandali i parë me Damianon ndodhi kur Donjeta, partnerja e tij, vendosi të dilte nga loja, e ai doli së bashku me të.
Produksioni tha se Damiano ka qenë i izoluar, por në fakt e vërteta rezultoi ndryshe. Në YouTube u publikua videoja e Damianos me shokët e tij, të cilët e përgëzonin për lojën, dëshmi kjo që ai nuk kishte qenë dhe aq i izoluar. Videot e tij me mikun e tij, regjisorin Drilon Hoxha, u bënë virale në portale e rrjete sociale. Ishte Donjeta ajo që tha publikisht se Damiano kishte pasur telefon dhe televizor në dhomën e hotelit, ndërsa ajo jo. Ndërsa profili i Damianos në Instagram, që menaxhohet gjatë kësaj kohe nga miku i tij, ka sqaruar sot se videoja është realizuar para se Damiano të hynte në shtëpinë e “Big Brother”, pra video e realizuar para se edicioni i nëntë i “Big Brother” të fillonte.
DAMIANO ”LOJË TË PISTË” EDHE ME ARMELËN, NJIHESHIN SHUMË MIRË JASHTË SHTËPISË
Por Damionao nuk u ka shpëtuar komenteve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale edhe sa i takon lidhjes së shtëpinë e “Big Brother 9” me modelen 21-vjeçare, Armela Hyseni. Pas rikthimit në shtëpi dhe shkëputjes nga Donjeta ai kërkoi të bëhej çift me Armelën, për faktin se njihej me të jashtë shtëpisë, dhe ia dinin të gjitha sekretet njëri-tjetrit.
Edhe pse marrëdhënia e tyre është tronditur paksa nga pëlqimi që Armela ka shfaqur për Olsin, ata duket se po e mbajnë fortë lojën, me qëllimin kryesor për të dalë fitues. Kështu, pasi u sqaruan në lidhje me debatet e fundit, Damiano dhe Armela folën më shumë se asnjëherë më parë mbi marrëdhënien e tyre. “Pëlqimi ndaj nesh, sikur nuk funksionon, të paktën nga ana jote. Nuk e di, këtë e shikoj edhe në darkë, me zor më përqafon, me zor vjen të rrish me mua. Nëse i shikon, të gjithë këta rrinë me njëri-tjetrin, janë bashkë. Unë ndihem i vetmuar”, i tha asaj Damiano.
“Nuk është nevoja që të të them unë hajde. Pse Katerina i thotë Lupçes, ajo shkon në tualet dhe ai shkon pas saj. Ajo nuk e thërret. Ti sikur ke frikë nga unë!”, ia ktheu Armela. “Vërtet kam frikë nga ty.
Më duket sikur do të më refuzosh gjithmonë, sepse e ke bërë”, i tha Damiano, por Armela nuk e pranoi duke e sqaruar se thjesht ashtu i duket atij. “Pëlqimi nuk është vetëm të puthesh në buzë, është edhe balli, është edhe qafa, janë edhe duart. Unë të të puth duart? A je në terezi ti? Kujt mashkulli i kam puthur duart unë?! Atëherë çfarë janë këto?”, iu drejtua Armela partnerit të saj, duke folur më shumë se asnjëherë më parë për marrëdhënien e tyre. Për ata që e shohin nga jashtë, shumë prej tyre e konsiderojnë këtë sjellje të Damianos një përulje para femrës, që do t’i japë shumë pikë në sytë e gjithë feministëve. /Panorama/