Site icon Telegrafi

Skandali i korrupsionit në BE – eurodeputetja mohon ryshfetin nga Katari pas gjetjes së ‘çantës me para’ në shtëpinë e saj

Eurodeputetja greke Eva Kaili ka mohuar përfshirjen në një skandal të supozuar të ryshfetit që përfshin Katarin në Parlamentin Evropian.

Ajo është një nga katër të dyshuarit e akuzuar, pasi hetuesit belgë gjetën shuma të mëdha parash në shtëpinë e saj, përcjell Telegrafi.

Eurodeputetët kanë votuar – me 625 kundër 1 – për t’i hequr zonjës Kaili postin si një nga 14 nënkryetaret e saj.

Ndërkohë kryetarja e parlamentit Roberta Metsola e ka quajtur skandalin si “ditë të vështira për demokracinë evropiane” ndërsa Katari ka mohuar çdo keqbërje.

“[Eva Kaili] deklaron pafajësinë e saj dhe se ajo nuk ka asnjë lidhje me ryshfet nga Katari”, ka thënë avokati i saj Michalis Dimitrakopoulos për TV grek të martën.

Prokurorët kryen një sërë kontrollesh gjatë disa ditëve dhe thanë se paratë me vlerë rreth 600,000 € (632,000 dollarë; 515,000 £) ishin gjetur në shtëpinë e një të dyshuari, 150,000 € në banesën e një eurodeputeti dhe disa qindra mijë euro në një valixhe në një dhomë hoteli në Bruksel.

Atje janë marrë edhe kompjuterë dhe celularë.

E pyetur nëse ishin gjetur para në banesën e zonjës Kaili, avokati i saj tha: “Nuk e di nëse janë gjetur para apo sa janë gjetur”.

Të dyshuarit e arrestuar nga policia belge janë akuzuar për “pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”, thanë prokurorët të dielën. Ata do të dalin para një gjykate të mërkurën.

Tre të tjerët mendohet se janë të gjithë italianë, duke përfshirë Pier Antonio Panzeri, një ish-deputet italian, i cili tani drejton një grup për të drejtat e njeriut.

Akuzat kanë hedhur një hije mbi rolin e grupeve lobuese në Parlamentin Evropian. Një rekomandim për të lejuar udhëtimin pa viza në BE për Katarin u vendos të votohet nga eurodeputetët këtë javë, por tani është anuluar. /Telegrafi/

Exit mobile version