Kompani të mëdha me pronar të huaj, korporata të fuqishme, por edhe kompani të shumta private me kapital vendor, kanë përfituar miliona euro në emër të Ligjit për Faljen e Borxheve të akumuluara nga përfundimi i luftës e deri në fund të vitit 2008.
Bazuar në listën e faljes së borxheve që është publikuar në ueb-faqen e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) shihet se kompanisë “Italbeton-Gen.Const”, i janë shlyer hiç më pak se 6 milionë e 753 mijë euro.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), shihet se pronar i këtij biznesi ka qenë shtetasi italian Lionello Polesel.
Gjithnjë duke u bazuar në dokumente zyrtare shihet se biznesi në fjalë ka qenë aktiv në vendin tonë deri në fund të dhjetorit të vitit 2012.
Por, nuk është vetëm kjo kompani e huaj që ka fituar nga vendimi Qeverisë për falje të borxheve. Në listën e gjatë shihen edhe shumë biznese të fuqishme vendore dhe të huaj.
Në listën për falje të borxheve gjendet edhe avokati nga Klina Kolë Puka, i cili tash e një kohë është duke vuajtur burgun për vepra të ndryshme penale.
Shuma e mjeteve që iu janë falur këtij janë 1 milion e 919 mijë euro.
Një shumë e madhe e parave prej më shumë se 2,5 milionë euro i janë falur edhe “Pajtimi Company”.
Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat e publikuara nga Administrata Tatimore e Kosovës shihet se një shumë e madhe e parave prej 1,3 milion euro u janë falur edhe kompanisë tjetër të huaj “Carta Isnardo”, ku në dokumentet zyrtare nuk figuron asnjë përfaqësues fizik, apo edhe juridik i kësaj kompanie të huaj. /Zëri/Telegrafi/