Telegrafi

Skandal në Turqi, tifozët e Fenerbahces thërrasin në kor emrin e Vladimir Putinit pasi Dinamo Kiev i eliminon nga Liga e Kampionëve

Fenerbahce është eliminuar nga rrethi i dytë i garës më të madhe evropiane për klube, Ligës së Kampionëve.

Skuadra turke pas dy ndeshjeve përballë ekipit ukrainas Dinamo Kiev është eliminuar me rezultat të përgjithshëm 1-2.

Ndeshja e parë përfundoi 0-0, ndërsa në të dytën në Stamboll ukrainasit triumfuan 1-2 pas kohës shtesë.

Por një skandal i madh ka ndodhur në Turqi nga tifozët e Fenerbahces pas shënimit të golit të dytë nga Dinamo Kiev.

Si shenj hakmarrje për fitoren e mysafirëve 40 mijë tifozët e pranishëm në Ulker Stadium filluan të thërrasin emrin e presidentit rus Vladimir Putin.

Video ku dëgjohen tifozët e Fenerbahces duke thirrur emrin e presidentit rus është bërë virale në rrjetet sociale dhe sigurisht që përkrahsit e skuadrës nga Stambolli janë kritikuar për një gjë të tillë.

Pas këtyre thirrjeve, shtëpia më e madhe e futbollit evropian UEFA pritet të marrë masa ndaj Fenerbahces. /Telegrafi/