Site icon Telegrafi

Skadoi afati për dorëzimin e çmimoreve për reklama për fushatën zgjedhore në Maqedoni

Mbrëmë në mesnatë ka përfunduar afati për paraqitjen e të gjitha mediave, televizioneve, gazetave, radiove dhe portaleve që do të ofrojnë hapësirë reklamuese për fushatën parazgjedhore. Nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor njoftuan sot se mediat kanë dorëzuar edhe çmimoret, ndërsa lista e plotë e mediave ku partitë do të mund të reklamohen do të publikohet të hënën.

“Përfundoi afati deri mbrëmë në orën 24, dhe të gjitha mediumet, portalet, mediat e shkruara i dorëzuan çmimoret e tyre sipas vendimit që e solli KSHZ për konfirmim të çmimit mesatar të arritur në pesë ciklet e fundit, ndërsa ato janë 1,83 euro për një sekondë për mediumet dhe 0,66 euro për një sekondë për radio. Të gjithë ato janë te ne në përpunim sot dhe KSHZ të hënën do ta publikojë regjistrin e të gjitha mediave të paraqitura, për të cilin jemi të obliguar ta bëjmë. Ata që kanë hyrë në regjistër dhe kush do të dorëzojë çmimore të regullta, do t’i theksojmë dhe do t’i dorëzojmë deri te të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, përkatësisht te partitë politike”, Janaqie Vitanovski, anëtar i KSHZ-së.

Vitanovski sqaroi se në bazë të këtij regjistri dhe kësaj çmimore do të paguhet reklama politike e paguar nga partitë politike, ndërsa nga mjetet e buxhetit të cilat do të arrijnë dy euro për votues të regjistruar ose rreth 3.600.000 euro do të paguhen mjetet nga buxheti i shtetit.

Përveç kësaj, në seancën e sotme Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) hodhi poshtë kërkesën e parashtruar për mendim të ministrit teknik të Punëve të Brendshme, Naqe Çulev për shfuqizimin e vendimit qeveritar për emërimin e shefit të ri të SPB Tetovë dhe theksoi se kjo është në kompetencë të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit KSHPK-së. Në seancë u tha se kërkesat e këtilla të cilat kanë të bëjnë në “ndalesa për emërime dhe shkarkime gjatë zgjedhjeve të shpallura”, për këtë është kompetent Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK).

Exit mobile version