Telegrafi

S’ka rritje pagash para vitit 2019

Nuk do të ketë rritje të pagave në sektorin publik gjatë gjithë mandatit të Qeverisë Mustafa. Kjo është evidentuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), që ekzekutivi e ka miratuar të mërkurën, e ku ka treguar se nuk planifikon as t’ia rrisë buxhetin shtetit në shkallën që e kishte premtuar menjëherë pas mandatimit.

Dokumenti të cilin e ka siguruar “Koha Ditore” thekson se, gjatë tre vjetëve të ardhshëm, kategoria e pagave dhe e mëditjeve si përqindje e bruto produktit vendor (GDP) ka trend rënës, ku në planifikimin për buxhetin e vitit 2018 kjo kategori planifikohet të bjerë me rreth 1.2 pika të përqindjes, shkruan sot Koha Ditore.

Ngritja e theksuar në këtë kategori ka ndodhur në vitin 2014, si rezultat i vendimit të qeverisë për ngritjen e pagave për shërbyesit civilë dhe për kategori të tjera në nivel prej 25 për qind. Edhe disa rritje të tjera kishin ndodhur. Prej sivjet, trendi do të ndalet dhe nuk është paraparë rritje para viti 2019.

Në më pak se gjysmë viti prej se është mandatar, Qeveria është përballur me presion sindikal. Jo vetëm sektori i arsimit, por edhe ai i gjykatave kanë zhvilluar greva. Po kështu, shëndetësia, shërbyesit civilë dhe ata profesionalë kanë kërcënuar me masa radikale nëse nuk u rriten të ardhurat. /Telegrafi/