Përderisa vendet e rajoni po ballafaqohen me epideminë e fruthit, Kosova qëndron mirë, kjo falë përqindjes së lartë të vaksinimit. Gjatë pesë muajve të parë të vitit 2019, në Kosovë janë shënuar vetëm 10 raste të reja me fruth.
Këto të dhëna i ka bërë të ditura drejtori i Klinikës Infektive të QKUK-së, Hamdi Ramadani.
Ai thotë se gjatë vitit 2017 dhe 2018 janë regjistruar 1,700 raste, e që shumica prej tyre kanë qenë si pasojë e mos vaksinimit.
Rënia e numrit të të prekurve nga kjo epidemi, sipas Ramadanit, ndërlidhet me procesin e imunizimit, apo vaksinimit.
“Nga sëmundja e fruthit në vitin 2017 dhe 2018 kemi pas epidemi të madhe, me plotë raste diku 1700 raste, kurse 40 përqind e tyre edhe janë ndalë. Të gjitha ato raste të cilat kanë ardhur dominuese kanë qenë të pa imunizuara –vaksinuara. Nga janari deri më sot në klinikën tonë janë regjistruar 10 raste me sëmundjen e fruthit edhe këto raste të gjitha janë të pa vaksinuara, kryesisht graviton mosha prej 1 deri 2 vjeç. Në janar kemi pas 4 të sëmur nga Malisheva, Fushë Kosova dhe Lipjani, pastaj në shkurt një rast nga Prishtina në mars, 1 rast dhe tash në muajin maj kemi tri raste”, ka thënë Ramadani, për Ekonomia Online.
Infektologu Ramadani thotë se këtë vit nuk do të ketë rrezik nga kjo epidemi.
“Nuk besojmë se do të jetë epidemi madhe, sa i përket sëmundjes së fruthit ne nuk presim dhe nuk besojmë se do të shfaqet sëmundje me përmasa të mëdha kjo shifër 10 nga janari deri më sot është me të vërtet e vogël dhe nuk paraqet ndonjë shqetësim”, thotë ai.
Kushtet në këtë klinikë janë optimale, andaj Ramadani thotë se janë të përgatitur për ndonjë epidemi eventuale, si në aspektin e inventarit, ashtu edhe të medikamenteve përkatëse.
“Ne e kemi një inventarë të mirë dhe infrastrukturë të mirë kështu që mendoj që edhe pacientët që kanë ardhur edhe vitet e kaluara por edhe tash kanë komoditet të punës dhe së dyti ne kemi ekipin me përvojë dhe të përgatitur. Sa i përket sëmundjes së fruthit kemi medikamente të nevojshme sepse tek kjo sëmundje janë dy parime baze terapeutike është e para simptomatike dhe ndërlikimet”, përfundoi ai.
Fruthi është një sëmundje virale infektive që nganjëherë mund të çojë në komplikime të rënda shëndetësore, përfshirë infeksionet në mushkëri dhe tru.
Sëmundja thuhet se mund të parandalohet krejtësisht nëse merren vaksinat e duhura në kohë.