Gjatë protestave në mbarë Rusinë në shenjë përkrahje për liderin e arrestuar të opozitës Alexei Navalny, autoritetet e sigurisë kanë arrestuar mbi 3.500 njerëz, shkruan Reuters.
Gruaja e Alexei Navalny, Yulia është liruar nga paraburgimi në Moskë. E siç raportojnë mediat botërore, Yulia është liruar pa dhënë as dëshminë zyrtare, transmeton Telegrafi.
E më parë Yulia ka publikuar një fotografi në Instagram me mbishkrimin “në veturën e blinduar të policisë”. Në anën tjetër, policia ka konfirmuar se të paktën 42 policë më Moskë janë lënduar.
“Deri më tani kanë marrë lëndime të lehta trupore 42 pjesëtarët të forcave të sigurisë”, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i policisë.
Protestat që autoritetet ruse nuk i kanë miratuar, janë organizuar në mbarë Rusinë, e më parë ishte raportuar nga Reuters se janë arrestuar rreth 1.090 njerëz në mesin e të cilëve edhe Lubov Sobol, bashkëpunëtore i afërt i Navalnit dhe njëherit anëtare e ekipit të avokatëve të tij.
Mijëra njerëz janë mbledhur në sheshin Pushkin për të shprehur përkrahjen për Navalnin, i cili sipas autoriteteve ruse ka shkelur ligjin dhe kinse për këtë është arrestuar më 17 janar në aeroportin Sheremetjevo derisa po kthehej në vendlindje me aeroplan nga Gjermania.
E policia është duke arrestuar në mënyrë masive të gjithë pjesëmarrësit që bërtisnin “Putin hajni”, “Turp” e “Liri për Navalnin”. /Telegrafi/