Site icon Telegrafi

Situatë e qetë në veri, policia po ruan ndërtesat komunale

Një ditë pas përleshjeve midis Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë.

Pranë ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ka prani të Policisë së Kosovës. Po ashtu, policë ka edhe brenda ndërtesave, raporton Evropa e Lirë.

Para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit janë vendosur tri autoblinda policore me rreth 20 pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Foto: Evropa e Lirë

Në afërsi të ndërtesës së komunës, po ashtu janë parë ekskavatorë që po heqin rërën e hedhur një ditë më parë para ndërtesës së Komunës.

Situata në këtë komunë raportohet e qetë dhe gjendja është kthyer në normalitet, teksa janë hapur dyqanet dhe lokalet e gastronomisë.

Foto: Evropa e Lirë

Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të hynin në ndërtesat komunale. Këto ndërtesa, paraprakisht ishin përdorur nga institucionet paralele serbe.

Ky veprim u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë, të cilët u përleshën me policinë. Autoritetet e sigurisë përdorën shok-bomba dhe gaz lotsjellës, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.

Disa vetura policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan.

 

Faktori ndërkombëtar e cilësoi si shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.

Por, autoritetet kosovare fajësuan Serbinë dhe “strukturat ilegale dhe bandat kriminale” për situatën e krijuar, teksa thanë se Policia e Kosovës po realizonte detyrat e saj.

Exit mobile version