Site icon Telegrafi

Situata në PD, Berisha përgatitet të hyjë në zgjedhje me koalicion, Alibeaj bën thirrje për bashkim nën logon zyrtare

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka takuar sot kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka në një përpjekje për të lidhur aleanca në kuadër të zgjedhjeve vendore që pritet të mbahen më 14 maj në Shqipëri.

Takimi është në vazhdën e propozimit të bërë nga Berisha që të gjitha partitë opozitare të hyjnë në një koalicion të vetëm në zgjedhje.

Lëvizja e Berishës vjen pasi gjykata vendosi pak ditë më parë të rrëzojë statutin e miratuar nga mbështetësit e Berishës dhe e la në fuqi strukturat e PD-së zyrtare me drejtues kryetarin në detyrë, Enkelejd Alibeaj, raporton Telegrafi Shqipëri.

Ndërkohë, nuk dihet ende vendimi i Dukës nëse do të mbështesë apo jo kandidatët e procesit të primarëve të nxjerrë nga grupimi i Berishës.

Në një dalje për mediat pas takimit, Berisha tha se ka mirëkuptim të plotë me aleatët në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit.

Berisha u shpreh se aktualisht, negociatat po ecin shumë mirë, por nuk dha detaje. Sipas informacioneve në media, grupimi i Berishës po negocion edhe me parti të tjera opozitare.

Në anën tjetër, Alibeaj i ka bërë thirrje një ditë më parë kandidatëve të Berishës që të bashkohen me PD-në zyrtare dhe të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të bashkuar.

Situata në PD duket akoma e paqartë, ndërkohë që të dyja grupimet kanë dorëzuar dokumentat përkatëse për regjistrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ky i fundit pritet të shqyrtojë regjistrimin e partive ditën e sotme dhe të nesërme nga ku do të marrim vesh se cili grupim do të regjistrohet në zgjedhje me logon e PD-së zyrtare. /Telegrafi/

 

Exit mobile version