Telegrafi

Situata në PD, Berisha i gatshëm të bisedojë me të gjithë deputetët, përveç Bashës dhe Alibeajt

Nga konferenca e përjavshme me gazetarët ku u shtruan për diskutim zhvillimet e fundit politike në kampin opozitar, ku disa persona u përplasën me një grup deputetësh të Partisë Demokratike, Sali Berisha rezervoi një ftesë për këta të fundit.

Duke veçuar Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, të cilët i akuzon për lidhje kriminale me Edi Ramën, Berisha u shpreh se fton pjesën tjetër të deputetëve demokratë që të diskutojnë për të ardhmen e PD-së.

“Me përjashtim të dy personave që kanë lidhje të tmerrshme me Edi Ramën, me të gjithë deputetët e tjera jam gati që të ketë çdo lloj debati, diskutimi, mirëkuptimi pa përjashtim, sepse ata në moment themelor mbështetën kandidatët e Primareve. De-facto mbështetën statutin e PD. Ky është investim i tyre, nuk ndodhi për Sali Berishën. Investuan në partinë që i përkasin, prandaj ndaj tyre PD është e hapur. Jo që s’bëj një hap mbrapa por bëj një hap para për t’i ftuar ata, Unë i ftoj ata që të diskutojmë dhe të bëjmë më të mirën për PD, opozitën dhe të ardhmen e vendit”, tha ai.

Lexo po ashtu Kryesia e PD merr vendimin, caktohet data e zgjedhjes së kryetarit të ri

I pyetur nëse është i gatshëm që për hir të bashkimit me këtë pjesë të PD dhe ambicies së opozitës për të qenë rivale e denjë përballë Ramës në 2025, të lëshojë diçka nga pushteti personal, Berisha theksoi se partia funksionon sipas statutit dhe në bazë të tij do të ketë votëbesim pas humbjes së zgjedhjeve lokale të 14 Majit.

“Gjithçka përcaktohet nga anëtarësia e partisë. Ne kemi statutin më demokratik që një parti mund të ketë sot. Unë i qëndroj me korrektesë statutit. Nuk ndërtohet partia në bazë të dëshirave, por në bazë të rregullave”, deklaroi Berisha. /Telegrafi/