Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell do të takoj nesër në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Borrell takimet e ndara me Kurtin dhe Vuçiqin do t’i zhvilloj në Paris në kuadër të Forumit për Paqe.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një postim në Twitter.
“Për të vazhduar përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën në de-përshkallëzimin, zbutjen e tensioneve aktuale dhe avancimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Josep Borrell do të takoj nesër në Paris, në takime të ndara kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq”, ka shkruar Stano.
Kurti gjendet në Paris për të marrë pjesë në Forumin për Paqe. Po ashtu në Paris është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kosovo/Serbia: To continue 🇪🇺 efforts to help 🇷🇸🇽🇰 to de-escalate,defuse current tensions and advance in EU facilitated Dialogue, @JosepBorrellF will meet with @albinkurti & @predsednikrs @avucic in Paris tomorrow in separate meetings.
— Peter Stano (@ExtSpoxEU) November 10, 2022
Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.
Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.
Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. /Telegrafi/