Site icon Telegrafi

Situata epidemiologjike me COVID-19 në Mal të Zi vazhdon të jetë e rëndë

Situata epidemiologjike me coronavirus në Mal të Zi, vendin me 621.718 banorë, vazhdon të jetë e rëndë.

Me përhapjen e variantit Delta është shënuar edhe rritja e numrit të të sëmurëve nga ky virus, sidomos tek të rinjtë.

Po ashtu është rritur ndjeshëm numri i personave që kanë humbur jetën.

Autoritet thonë se shumica e tyre nuk kanë qenë të vaksinuar, ose kanë pasur dhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Vaksinimi i popullatës ende lë për të dëshiruar

Në Mal të Zi vaksinimi masiv kundër COVID-19 ka filluar më 4 maj.

Dozën e parë të vaksinës deri tani e kanë marrë 41,2 për qind, ndërsa tërësisht janë vaksinuar 38,4 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Sipas Institutit për Shëndetin Publik, numri më i vogël i të vaksinuarve shënohet në radhën e të rinjve.

Ndërkohë që ka filluar edhe marrja e dozës së tretë, sidomos për personat mbi 60 vjeç.

Së fundmi janë shënuar edhe raste të të infektuarve në radhët e nxënësve, mësimdhënësve dhe në Universitete.

Por Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit thotë, se nuk ka të dhëna për numrin mësuesve të vaksinuar.

Edhe pse situata me coronavirusin vazhdon të jetë e rëndë, Instituti i Shëndetit Publik në masat e fundit të prezantuara nuk ka rekomanduar masa shtesë të kufizimeve.

Mbajtja e maskave është pothuajse minimale, lokalet dhe qendrat tregtare janë të hapura, e në restorante e bare, nuk kërkohen teste.

Gjermania ndihmon Malin e Zi në përballjen me pandeminë

Ministrja e Shëndetësisë e Malit te Zi, Dr. Jelena Boronoviq-Bojoviq po kryeson delegacionin malazez në vizitën zyrtare në Institutin Robert Koch dhe Spitalin Universitar Charite.

Ministrja paralajmëroi nga Berlini se Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë do t’i dhurojë Malit të Zi terapitë më bashkëkohore për stadet fillestare të sëmundjes COVID, me vlerë 3.172.454 euro.

Po ashtu pritet dhe nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. /DW/

Exit mobile version