Telegrafi

Sistemi i kamerave në Komunën e Graçanicës i bartet Policisë së Kosovës

Sistemi i vëzhgimit me kamerë në hapësira publike në Komunën e Graçanicës, i është bartur Policisë së Kosovës, respektivisht Stacionit Policor në Graçanicë.

Agjencia për Informim dhe Privatësi njofton se kjo komunë e ka respektuar vendimin e datës 20 prill 2022.

“Komuna e Graçanicës, në afatin e përcaktuar sipas Vendimit Nr. 100/2022, të datës 20.04.2022, të nxjerrë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në hapësira publike, ka zbatuar rekomandimet e AIP-së dhe ka njoftuar se i tërë ky sistem iu është bartur Policisë së Kosovës, respektivisht Stacionit Policor në Graçanicë, me qëllim të rritjes së sigurisë publike”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, në njoftim thuhet se gjithë procesi i bartjes së këtij sistemi është bërë në prani të zyrtarëve të AIP-së.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi është në pritje edhe të zbatimit të vendimeve tjera të nxjerra për komunat të cilat tashmë ka inspektuar, si dhe është duke vazhduar inspektimin edhe në komunat tjera me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet tutje. /Telegrafi/