Themeluesi i prodhuesit amerikan të makinave elektrike “Tesla”, Elon Musk, ka thënë se kompjuteri, makinat inteligjente dhe robotët do të jenë fuqia punëtore e së ardhmes. Mu për këtë, ai thotë se teknologjia do të bëjë të bien numrat e vendeve të punës, porse shteti do të jetë i detyruar të japë para për popullin.
“Është shumë e mundshme që për shkak të automatizimit do të kthehemi tek të ardhurat bazike, apo tek diçka tjetër e ngjashme”, ka thënë Musk për CNBC, transmeton Telegrafi.
Ideja e të ardhurave bazike është që çdo person në shtet të ketë një sasi të caktuar të parave.
Zvicra, këtë vit, me një referendum ka refuzuar futjen e të ardhurave bazike prej 2.500 frangave, por referendumi i tyre shkaktoi debat global për këtë temë.
Për të kohët e fundit ka folur edhe presidentit amerikan, Barack Obama.
“A është i duhur modeli i të ardhurave bazike dhe a do ta pranojnë njerëzit? Kjo është një çështje me të cilën me siguri se do të merremi në 10 apo 20 vitet e ardhshme”, ka thënë Obama.
Derisa ideja e të ardhurave bazike është duke u marrë parasysh, teknologjia shpejtë po e ndryshon gjendjen në tregun e punës.
“Për shembull, në të ardhmen kamionët e trafikut nuk do të kenë shoferë, që do të thotë se shumë nga ta do të mbesin pa punë”, paralajmëroi Musk. “Një pjesë e shoferëve do të operojnë flotën, pra do ta mbikëqyrin lëvizjen e kamionëve dhe do të reagojnë nëse shfaqet ndonjë problem”.
“Kjo natyrisht që është punë më interesante sesa lëvizja e një kamioni të vetëm”, shtoi ai.
Ata që do të mbesin pa punë, nuk do të jetë të lumtur. Por, Musk është optimist, pasi beson se automatizimi do të jetë në dobi të tërë shoqërisë.
“Njerëzit do të kenë kohë për të bërë gjëra të tjera, më komplekse dhe më interesante. Dhe, do të kenë më tepër kohë për të pushuar”, ka thënë Musk. /Telegrafi/