Site icon Telegrafi

Sipas raportit të PSP-së, Gruevski me 49, Peshevski me 27 llogari bankare

Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski ka 49 llogari në banka të ndryshme, një pjesë deviza, një pjesë në denarë, në të cilat posedon së paku 200.000 euro. Këto të dhëna janë publikuar në aktakuzën e PSP-së për rastin “Titanik” të lidhur me mashtrimet zgjedhore në të cilat ish kryeministri është i akuzuari kryesor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Të dhënat nga llogaritë bankare PSP-ja i ka vendosur në listën e shkaqeve për të cilat kërkonte masën paraburgim për Gruevskin. Për 34 nga këto llogari është dhënë edhe shuma e parave që i ka në to, ndërsa për 15 tjerat nuk ka të dhëna.

Ndërsa për ish zv.kryeministrin, Vlladimir Peshevski në aktakuzën për rastin “Trajektorja”, e lidhur me ndërtimin e autostradës Milladinoc-Shtip, nga PSP thonë se ka 27 llogari bankare, nga të cilat 24 janë aktive, por ekzistojnë dyshime se posedon para edhe nga off-shore kompani në Qipro, për të cilat emri i tij qëndron si pronar dhe drejtues. Këto të dhëna, njëlloj si në rastin me Gruevskin, përmenden si arsyetim pse PSP-ja kërkonte paraburgim për Peshevskin./Telegrafi/

Exit mobile version