Pas një pauze të gjatë dhe të mbushur me shumë sfida, reperi i njohur nga Peja, Singullar, ka vendosur të rikthehet fuqishëm në skenën muzikore.
Ky rikthim pritet të jetë i shoqëruar me publikimin e albumit të tij të ri, për të cilin ai ka punuar me përkushtim të madh. Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Singullar i njohur tashmë edhe me shkurtesën Singi, ndau detaje mbi rikthimin e tij dhe projektet e ardhshme.
Singullar shprehet se pauza e tij ishte e ndikuar nga shumë faktorë, por tani ndjehet më mirë se kurrë më parë. “Ka qenë një pauzë e gjatë dhe shumë faktorë kanë ndikuar në të, mirëpo tani me rikthim po ndihem si në fillim, madje më mirë se atëherë”, thotë ai për Telegrafin.
“Jam shumë më entuziast dhe kam pasur përkrahje të madhe nga kolegët dhe artistët tjerë. Projekti që po realizohet është shumë i mirë dhe jam shumë i kënaqur”.
Në lidhje me albumin e ri, Singullar ka paralajmëruar lansimin e këngës së parë shumë shpejt. Përveç kësaj kënge, janë edhe dy të tjera që do të publikohen para se albumi të përfundojë në shtator. “Lansimi i singlit të parë nga albumi është shumë afër. Përveç këtij, janë edhe dy single të tjera që do të publikohen dhe albumi besoj që përfundon në shtator”, thotë ai. “Jam shumë i emocionuar për këtë projekt dhe jam i bindur që dëgjuesit do ta pëlqejnë”.
Reperi nga Peja ka një lidhje të veçantë me qytetin e tij dhe gjithmonë është i hapur për të performuar atje. “Është gjithmonë kënaqësi dhe një ndjenjë e papërshkrueshme të jem këtu, sidomos në Pejë. Kam lindur dhe jam rritur këtu, prandaj çdo ftesë nga Peja është gjithmonë e mirëpritur”, shprehet ai. “Edhe pse ndonjëherë është pak stres, është gjithmonë me zemër të hapur dhe një kënaqësi e madhe të performoj këtu, sidomos në parkun e qytetit”.
Singullar ka folur edhe për raportet e ngushta që ka pasur me rap-artistin e ndjerë, Arlind Gjikolli – Gjikla, i cili ka luajtur një rol të madh në karrierën e tij. “Gjikla ishte mentori dhe menaxheri im, por mbi të gjitha ishte një shok shumë i mirë”, thotë ai.
“Që nga fillimi i karrierës sime në hip-hop, ai më ka mësuar shumë gjëra, jo vetëm rreth muzikës, por edhe rreth shoqërisë. Ai më ka ndihmuar në çdo aspekt të hip-hopit, nga tekstshkrimi deri te prodhimi i muzikës. Humbja e tij është një zbrazëti e madhe në zemër, por ne do të vazhdojmë të realizojmë ëndrrat e tij dhe të qëndrojmë të vërtetë ndaj muzikës sonë”.
Singullar ka një mesazh të rëndësishëm për fansat dhe komunitetin muzikor: të qëndrojnë të vërtetë ndaj vetes dhe muzikës së tyre. “Është shumë e rëndësishme të përkrahim njëri-tjetrin dhe të mbështesim muzikën që krijojmë,” thekson ai. “Do të vazhdoj të punoj fort për të sjellë muzikë të mirë dhe për të përfaqësuar komunitetin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Rikthimi i Singullar është një moment i rëndësishëm për skenën muzikore shqiptare dhe pritet me padurim nga fansat e tij të shumtë. Me entuziazmin dhe përkushtimin e tij, ai është i sigurt që do të sjellë projekte të reja dhe interesante që do të lënë gjurmë në industrinë e muzikës. /Telegrafi/