Telegrafi

Sindikatat e Shërbimit Civil kërkojnë nga Thaçi të mos e dekretojë Ligjin për pagat

Dy Kryesitë e Sindikatave të Shërbimit Civil të Kosovës kanë shprehur shqetësimin për anashkalimin e shërbimit civil si kategori e nëpunësve të shtetit në Ligjin për Pagat.

Përmes një reagimi për media, ata kanë kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretojë ligjin, pasi që sipas tyre si i tillë e thellon edhe më shumë dallimin e kategorive të të punësuarve buxhetorë.

Më tej ata kanë theksuar se seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën u miratua ligji për pagat, u shndërrua në një treg biznesi dhe shitblerjes së koeficienteve për vota elektorale, duke mos e respektuar nocionin ligjor të pagës bazë dhe duke ia dhënë epitetin “Ligj i të fortit” e jo ligj që determinon pagë të njëjtë për punë të njëjtë.

“Ne si sindikata do të njoftojmë OSBE-në, ambasadorët e Quintit të shteteve mike në Kosovë, Avokatin e Popullit për elementet diskriminuese në këtë ligj dhe do të bisedojmë me Avokatin e Popullit mbi bazën juridike mbi trajtimin e elementeve diskriminuese nga Gjykata Kushtetuese për kthimin e tij përsëri në Kuvend, dhe njëkohësisht do të kërkojmë nga presidenti i Kosovës që të mos e dekretojë ligjin pa u bindur se vërtet ky ligj a është ligj që përcakton “pagë të njëjtë për punë të njëjtë apo të ngjashme”, apo është “Ligj i të fortit”, i miratuar para fushatave elektorale që thellon edhe më shumë dallimin e kategorive të të punësuarve buxhetorë që nuk përkon me parimet themelore të përcaktuara në nenin 3 të Ligjit për pagat”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/