Kryetari i Federatës së Sindikatës së Pavarur të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Albert Spahiu, ka thënë se Sindikata e nuk do të pranoj uljen e pagave të punëtorëve të Telekomit të Kosovës.
Sipas tij, çështjen e pagave kjo sindikatë e konsideron kapitull të mbyllur.
“Çështja e pagave është kapitull i mbyllur dhe i paprekshëm, nuk duhet madje as të diskutohet ulëja e tyre. Është bërë shumë debat rreth pagave, ndoshta nuk është dashur të bëhet kaq shumë për pagat sa është dashur të bëhet debat për gjendjen në Telekom dhe zhvillimet se çfarë duhet bërë”, tha Balaj.
Sipas tij, nuk duhet të sakrifikohen punëtorët sa herë ka probleme financiare Telekomi.
“Bordi aktual e ka përkrahjen tonë që ta zhvilloj Telekomin dhe jot ë merremi në vazhdimësi me pagat, pasi që tashmë ky është një kapitull i mbyllur. Ne nuk pranojmë se sa herë që Telekomi të ketë problem financiare të sakrifikohet punëtori”, tha Balaj.
Ai fajtor për gjendjen në Telekom i bënë institucionet e vendit.
“Shkaktar numër një për gjendjen në Telekom janë institucionet, vet Qeveria e Kosovës, jo kjo aktualja, por janë të gjithë ministrat e kaluar. Tashmë jemi duke u munduar ta gjejmë një zgjidhje për gjendjen në Telekom”, thotë ai.
Kryesindikalisti i punëtorëve të Telekomit, ka thënë se Sindikata do t’i ofrojë bashkëpunim kryeshefit të ri ekzekutiv të Telekomit.
“Absolutisht nuk e njoh, si emër e kam parë që është emëruar. Ne si sindikatë nuk na intereson a është person politikë, do t’i përcjellim hapat e tij zhvillimor dhe do t’i ofrojmë bashkëpunim”, tregon Balaj.
Ai ka treguar se paga mesatare në Telekomin e Kosovës, për 2,300 të punësuarit në Telekom nuk e kalon shumën prej 780 euro.
Por më herët ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdirin Lluka, në një deklaratë për media ka thënë se paga mesatare në Telekom është rreth 980.
Ndryshe, kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri-Berisha, në një intervistë për Telegrafin kishte thënë se duhet të ulën shpenzimet e personelit me një mesatare prej 20 për qind. /Telegrafi/