Telegrafi

Sindikata e Universitetit të Prishtinës: Do ta vazhdojmë grevën deri në realizimin e kërkesave

Sindikata e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur një takim informues me anëtaret e vet të cilët gjenden në grevë që nga data 14/01/2019.

Sipas një komunikatë, Sindikata e Universitetit të Prishtinës si pjesë e organizimit sindikal të SBASHK-ut, ka ftuar Kryesinë e SBASHK-ut, për t’i informuar anëtarësinë tonë dhe të tyre për takimet e Kryesisë së SBASHK-ut, me nivelet vendimmarrës lidhur me realizimin e kërkesave tona.

Megjithatë, siç thuhet tutje, në takim nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e SBASHK-ut, pa dhënë asnjë sqarim.

“Si Sindikatë e Universitetit të Prishtinës, ju bëjmë thirrje të gjithë mekanizmave vendimmarrës që Ligji i Pagave që pritet të dalë në Kuvend me 31/01/2019 t’i merr me seriozitet shqetësimet e dy kategorive të të punësuarve në Universitetin e Prishtinës, stafit akademik dhe administrativ për rritje të koeficientit për 30%”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu siç thuhet tutje, “i bëjmë thirrje të gjitha institucione duke filluar nga Menaxhmenti i lartë i UP-së, Ministria e Administratës Publike, dhe Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, që para se ky ligj të kaloj në Kuvend për miratim, të qartësohet pozicioni i zyrtarëve të Administratës së Universitetit të Prishtinës, në kategorizimin e koeficientëve brenda këtij ligji”.

“Ne si Sindikatë e Universitetit të Prishtinës, do ta vazhdojmë grevën deri në realizimin e kërkesave tona”, përfundohet në deklaratën e Sindikatës së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. /Telegrafi/