Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për vazhdimin e afatit të masës së përkohshme për Ligjin e Pagave.
Kjo sindikatë e ka quajtur të turpshëm e ofendues këtë vendim, në kohën kur është një luftë globale kundër pandemisë.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës shpreh pakënaqësinë e saj me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vazhdimin e afatit të masës së përkohëshme për Ligjin e Pagave deri me 30 qershor 2020. Turp, ofendim, degradim, në këtë kohë të kësaj lufte globale merren vendime pikërisht kundër ”Heronjëve” dhe nga kush… institucioni më i lartë i drejtësisë. Provokohet situata mu në kohën kur neve mendojmë për shëndetin e popullatës e disa të tjerë po mendojnë për kolltuqet e buta dhe pagat e tyre marramendëse”, thuhet në reagim.
Në këtë komunikatë është bërë e ditur po ashtu se ata do të luftojnë pandeminë coronavirus (COVID-19), e pas kësaj ata do të marrin vendime.
“Në fund FSSHK do pres fundin e kësaj Pandemie e pastaj marrim vendime. Populli le të rrin i qetë e ju kursesi Jo, do jëpni përgjegjësi së paku para Zotit”, thuhet në reagim. /Telegrafi/