Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës reagon me rastin e sulmit ndaj zyrtarëve doganor në Mitrovicë dhe kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që kryesit e veprës të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
Më datën 24 dhjetor 2018 rreth orës 09:00 në komunën e Mitrovicës gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare janë sulmuar fizikisht dy zyrtarë doganor pjesë e Drejtorisë për Zbatim të Ligjit në Doganë.
Njësitet e Doganës gjatës ushtrimit të detyrës zyrtare në regjionin e Mitrovicës, përkatësisht në lagjen e Suhodollit kanë hasur në një furgon të dyshimtë i cili pas ndaljes dhe kontrollit është vërtetuar se po barte pije jo-alkoolike kontrabandë nga Serbia.
Zyrtarët doganor papritmas janë sulmuar nga një grup prej 7-8 personave, por falë shkathtësisë, aftësive dhe përgatitjes fizike dhe profesionale të zyrtarëve doganorë është arritur të shmanget më e keqja.
Si rezultat i sulmit fizik, zyrtarët e lënduar janë dërguar për trajtim në Qendrën Spitalore në Prishtinë, ku edhe aktualisht janë duke iu nënshtruar ekzaminimeve nga specialistët relevantë.
“Ky sulm tregon rreziqet e përditshme me të cilat ballafaqohen zyrtarët doganor gjatë mbledhjes së taksave, luftimin e kontrabandës, evazionit fiskal, mbrojtën e qytetarëve nga produktet e dyshimta dhe shumë detyra të tjera”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi
Ndryshe, që nga viti 1999 e deri më sot zyrtarët doganore kanë kontribuar me mbledhjen e mbi 7 miliardë eurove, të cilat kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik, social dhe mirëqenies në përgjithësi si dhe kanë parandaluar mijëra raste të kontrabandës dhe evazionit fiskal.