Telegrafi

Sindikalistët kërcënojnë: Nuk tërhiqemi, Qeveria le të përballet me pasojat! (Video)

Foto: Ilustrim

Nga takimi me ministrin e Financave, Avdullah Hoti, dolën të dëshpëruar sindikalistët. Pas një takimi rreth 30 minutash, të thirrur nga vetë ministri, sindikalistët thanë se nuk kanë fare shpresë se rritja e pagave do të përfshihet ne buxhetin e vitit 2015, e as implementimi i kontratës kolektive, raporton KTV.

Por, pavarësisht që Qeveria e re nuk do ta përmbushë premtimin elektoral, që ka dhënë ish -kryeministri Hashim Thaçi, sindikalistët nuk e kanë në plan të dorëzohen.

Blerim Syla nga sindikata e shëndetësisë tha se nuk do të lëvizin nga qëndrimet e tyre, e Qeveria le të përballet me pasojat.

Edhe njeriu që përfaqëson mijëra punëtorë të administratës publike, ka thënë se nuk do të marrin përgjegjësi për veprimet e mëvonshme, nëse nuk merren parasysh kërkesa e tyre.

Por, të padrejta po i konsiderojnë kërkesat e sindikalistëve përfaqësuesit e shoqërisë civile. Agron Demi nga Instituti GAP, thotë se nuk ka logjikë që taksat e të gjithëve të shpërndahen vetëm tek një kategori punëtorësh.

Ndërkohë, Petrit Zogaj nga lëvizja Fol i ka quajtur të orkestruara kërcënimet e sindikalistëve.