Site icon Telegrafi

Sindikalistët e Telekomit nuk pranojnë ulje pagash as edhe 1 për qind

Sindikalistët e Telekomit kundërshtojnë idenë për ulje të pagave për punëtorët e kësaj kompanie.

I fundit që paralajmëroi një gjë të tillë është kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili sot tha se ka mundësi që pagat e punëtorëve të ulen për 10 për qind ndërsa ato të menaxhmentit të Telekomit deri në 20 për qind. Krejt kjo sipas Haradinaj për ta shpëtuar Telekomin nga falimentimi.

Por, këtë paralajmërim të kryeministrit e kundërshtojnë ashpër punëtorët e Telekomit, pasi që sipas krerëve të Sindikatës punëtorët nuk janë fajtorë për gjendjen e krijuar në Telekomin e Kosovës.

Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Telekomit, Lamih Balaj ka thënë për KosovaPress se nuk pranojnë të ulen pagat as edhe 1 për qind.

“As 10 as 5, as 1 për qind, sepse ne nuk jemi për me i ul pagat e punëtorëve sa herë të dëmtohet Telekomi. Ne nuk mundemi sa here që në Telekom vijnë kërkesa prej gjykatave vendore apo ndërkombëtare me u paguar mjete që nuk i ka kryer Telekomi obligimet, apo qysh janë lidhur ato ne nuk i dimë ato kontrata, me u paguar me para të punëtorëve. Çka nëse na ulen (pagat) 5 ose 10 në këtë vit, dhe prapë pas pesë gjashtë muajve kemi me pasur edhe një dënim për kontrata të këqija që janë lidhë. Do të thotë vazhdimisht kanë me u paguar me para të punëtorëve, ndërsa ata që i kanë shkaktuar ato dëme po qëndrojnë në shtëpi ose janë pozita zyrtare udhëheqëse shtetërore…  Unë nuk e di(kush janë ata), prokuroria duhet me i ditë më mirë, sepse Telekomi nuk është udhëheq prej nesh, ne jemi vetëm punëtorë dhe më së paku punëtorët kanë faj. Po sigurisht se bordet, menaxhmentet janë zgjedhur direkt prej Qeverie, nuk i kemi zgjedhë ne ata”, ka thënë Balaj.

Lexo po ashtu Telekomi i Kosovës në pragun e mbijetesës dhe falimentimit

Ai ka shtuar se Telekomi i Kosovës qe një kohë nuk është në gjendje të mirë dhe kjo çështje është bërë me dije shumë më herët.

“Nuk na ka ardhur mirë që më së pari janë përmendur pagat, sepse ishte dashur me u gjetur akterët që e kanë sjell Telekomin në këtë gjendje dhe tashmë ne të gjithë e dimë që Telekomi nuk është qe një muaj e dy muaj në këtë gjendje, por me vite që është shkatërruar. Kanë qenë bordet, menaxhmentet e ndryshme e deri te ministrat e caktuar, të cilët nuk e kanë menaxhuar në mënyrë të mirë dhe e kanë sjellë në këtë gjendje sot ku është Tekekomi. Sigurisht se janë edhe kontratat e këqija, përfshirë kontratën me Z-Mobile. Një kontratë që është në disfavor dhe asgjë nuk na sjell neve si kompani. E dëgjova kryeministrin, kryeministri e  ka thënë zbritjen e pagave pak me ‘gjysmë zemre’ sot dhe unë besoj që kryeministri e di që nuk duhet me i zbritur pagat, sepse pasi t’i shkoj letra zyrtare dhe pasi që ka me ne takuar ai neve si sindikatë, besoj që ka me ndryshuar qasja e tij jashtëzakonisht”, ka thënë Balaj.

Kryesindikalisti i Telekomit ndër të tjera ka thënë se nuk janë fajtorë punëtorët për numrin e tepruar të punëtorëve në Telekom.

Lexo po ashtu Haradinaj: Telekomi i Kosovës duhet të shpëtohet nga kriza financiare

Balaj kërkon nga Qeveria që t’i rritë investimet dhe t’i ndërpres kontratat e kundërligjshme në këtë ndërmarrje, në mënyrë që prapë Telekomi t’i jap dividentë pas një viti Qeverisë.

“Nuk jam fajtor që jemi 2,300 punëtorë, dhe më së paku janë fajtorë ata punëtorë që janë punësuar këtu. Por, nëse është numër i tepruar, ne jemi duke kërkuar punë dhe ne jemi të gatshme me çuar kompaninë përpara, por përderisa institucionet heshtin dhe punën tonë e kryejnë kompanitë private, të jashtme dhe marrin me miliona euro i qesin jashtë Telekomit për punët që duhet me i kryer ne, atëherë çka me thënë? Ne kërkojmë që me u ndal ato zhvatje të mjeteve dhe punëtorët tonë me I kryer ato punë, sepse po marrin paga ngase dhe do të shihini që një Telekom, i cili i ka dhënë 520 milionë, që brenda një viti do të jap prapë dividentë”, ka thënë ai.

Balaj pohon se po që se ndodhë ulja e pagave, do të marrin masa për protesta dhe greva.

Ai ka treguar se deklaratat e zyrtarëve të shtetit të cilët po flasin për falimentim të Telekomit po u shkakton vështirësi punëtorëve të kësaj kompanie pasi që bankat nuk po u japin kredi. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version