Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC) ka paralajmëruar, se në rast të mos zbatimit të rregullave ligjore dhe standardit të punës dhe pagave për shërbyesit civilë, do të ndërmarrë hapat sindikalë sipas Ligjit për organizimin sindikal në Kosovë dhe sipas statuti të FSSHC-së.
Ajo në mbledhjen e fundit ka analizuar zhvillimet e fundit rreth legjislacionit dhe vendimeve që i atakojnë shërbyesit civilë në Kosovë, siç janë Ligji i pagave për punonjësit civilë dhe publikë, katalogu i vendeve të punës, reforma e administratës publike dhe devijimi i rregullores për vlerësimin e rezultateve në punë për nëpunësit civilë.
FSSHC përkujton se Ligji për Pagat e Nëpunësve Civilë asnjëherë nuk është zbatuar për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve qendrore, ndërsa shprehet skeptike se do të implementohet Projektligji për paga për punonjësit civilë dhe publikë, që tani Qeveria e Kosovës e ka përgatitur për ta rregulluar fushën e financiare të pagave të punonjësve që marrin pagë nga buxheti i shtetit.
Ky Ligj, sikurse ligji i mëparshëm do të prolongohet për shkak të vendimit të kryeministrit për rritje të pagave për kabinetin e ti, andaj FSSHC kërkon që ky Ligj sa më parë të miratohet dhe të krijohet rregull për pagat për të gjithë të punësuarit, që marrin pagë nga buxheti i shtetit.
“Devijimi nga standardi i rregullores për vlerësimin e rezultateve në punë për nëpunësit civilë, duke kërkuar nga udhëheqësit që mos t’i poentojnë me pikë të larta punëtorët e tyre dëmton punonjësit në administratën e institucioneve të Kosovës, andaj favoret e kësaj rregullore i gëzojnë vetëm udhëheqësit e lartë civilë dhe publikë, ndërsa punonjësit e rangut më të ulët diskriminohen duke i notuar në fund të vitit me pikë jo të mira, për t’ua bërë të pamundur avancimin në pozitë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/