Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Resul Sinani, konsideron se përveç PSD-së edhe dy partitë opozitare LDK dhe VV, duhet të jenë pjesë e dialogut me Serbinë.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Sinani thotë se LDK dhe VV në fazën finale do të jenë pjesë e “tryezës së historike”.
“LDK, sado që me disa deklarata kundërthënëse të kryetarit Isa Mustafa dhe të disa eksponentëve të saj politikë, tashmë ka dhënë shenja të qarta se do të jetë pjesë e dialogut dhe shpejt pres që të bëhen pjesë e ekipit shtetëror për negociata.”
“Besoj që do të bashkëngjitet edhe Lëvizja Vetëvendosje. Ndoshta jo si pjesë e ekipit shtetëror të negociatave por në ‘tryezën historike’ do të jetë pjesëmarrëse. Ky moment, do të jetë momenti kritik për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje! dhe pas ‘kravatës’ do të jetë metamorfoza përfundimtare që do të mund ta shpinte drejt postit të synuar të Kryeministrit në të ardhmen. Përndryshe, nuk mund të ndodh që të kundërshtohet marrëveshja e cila do të rezultonte nga këto bisedime e të vihet në pushtet për ta zbatuar atë marrëveshje”, ka thënë Sinani.
Ai konsideron se konsensusi i skenës politike dhe konsensusi shoqëror në dialogun me Serbinë do të arrihet gjithsesi.
“Duke marrë në konsideratë faktin se dialogu me Serbinë pritet të prodhojë një ‘marrëveshje gjithëpërfshirëse’ apo me fjalë të tjera një ‘traktat paqeje’ ndërmjet dy shteteve, konsideroj që konsensusi i mbarë skenës politike dhe konsensusi shoqëror në dialogun me Serbinë duhet dhe do të arrihet gjithsesi”.
“E gjithë kjo vlen, nëse negociatat vërtetë do të prodhojnë një ‘marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të kundërtën, vazhdojmë me avazin e vjetër në kërkim të momenteve të tjera historike”, ka shkruar Sinani./Telegrafi